Thirrje për pjesëmarrje në konferencë shkencore ndërkombëtare:

“Didaktika e gjuhëve dhe kulturave të huaja: Nga politikat gjuhësore në qasjet për një kompetencë të shumëgjuhësisë”

23-24 Tetor 2023, Fakulteti i Gjuhëve të Huaja, Tiranë

Fakulteti i Gjuhēve të Huaja, Universiteti i Tiranës, zhvillon këtë konferencë ndërkombëtare në bashkëpunim me Universitetin “Fan S. Noli”, Korçë, Universitetin “Luigj Gurakuqi”, Shkodër, Universitetin “Ismail Qemali”, Vlorë, Universitetin e Prishtinës, Kolegjin Universitar AAB, Prishtinë, Universitetin e Varshavës, Poloni, Universitetin e Poitiers, Francë, Universitetin e Ionit, Greqi, Institutin Konfuci – UT, Agjencinë Universitare të Frankofonisë.

Ftohen studiues, aktorë të ndryshëm në mësimdhënie, vendimmarrës në politikë, drejtues të institucioneve, trajnues, mësues që dëshirojnë të vendosin çështjen e didaktikës së gjuhëve të huaja në qendër të kërkimit, profesionalizimit dhe veprimit politik dhe të marrin pjesë në një reflektim të përbashkët mbi zhvillimet e fundit shkencore dhe përvojat profesionale në fushën e didaktikës së gjuhëve dhe kulturave të huaja.

 Tematikat e konferencës:

1. Shumëgjuhësia në kontekstin e Ballkanit dhe profili i politikës arsimore gjuhësore.

Vendi dhe funksioni i gjuhëve të huaja dhe i gjuhëve të pakicave kombëtare në sistemin arsimor dhe zbatimi i konventave evropiane.

Qasja historike në didaktikën e gjuhëve dhe kulturave të huaja nga fillim shekulli XX deri më sot në ballkan.


2. Politika gjuhësore në nivel parauniversitar

Reforma të mësimdhënies së gjuhëve të huaja në sistemin arsimor parauniversitar dhe ndikimi i pritshëm në cilësinë e përvetësimit të kompetencës shumëgjuhësore.

Zhvillimet kurrikulare dhe ndikimi i tyre në mësimdhënien/nxënien e gjuhëve të huaja sipas standardeve evropiane.

Politika të formimit të vazhdueshëm të mësuesve të gjuhëve të huaja të sistemit parauniversitar me kompetenca shumëgjuhësore e shumëkulturore.

Roli i teksteve shkollore në përvetësimin e kompetencës shumëgjuhësore e ndërkulturore.


3. Politika gjuhësore në nivel universitar

Vendi dhe roli i gjuhëve të huaja në Universitet në raport me sfidat e ndërkombëtarizimit të tij.

Nevoja për riorganizim kurrikular të gjuhëve të huaja me bazë kompetencash edhe në universitet për t’iu përgjigjur kërkesave të kohës dhe nevojave të sistemit arsimor parauniversitar; hartëzimi i kompetencave të studentëve-mësues në përfundim të studimeve universitare.

Nevoja të përgatitjes së mësuesve të gjuhëve të huaja për shkollën fillore duke marrë parasysh veçoritë dhe specifikat e mësimdhënies për fëmijët.


4. Shumëgjuhësia në klasë dhe praktika të mësimdhënies/nxënies

Studime dhe referime të praktikave të mësimdhënies dhe mësimnxënies për të ndihmuar shumëgjuhësinë e nxënësve.

Evolucioni i didaktikës është i lidhur ngushtë me atë të fushave të tjera, falë të cilave ai pasqyrohet ndryshe dhe përtërihet.

Nga psikologjia e të mësuarit te neuroshkenca është e qartë se fusha të ngjashme ndërthuren dhe marrin pjesë në evolucionin e të menduarit, veçanërisht duke vërtetuar disa hipoteza të vjetra, të tilla si transferimi i aftësive nga një gjuhë në tjetrën.

Punimet e pritshme do të fokusohen në lidhjet, marrëdhëniet ndërmjet disiplinave, studimet ndërdisiplinore, të cilat janë baza e qasjeve komplekse dhe ndikimet e mundshme në mësimdhënien/nxënien e gjuhëve.


5. Inovacioni dhe digjitalizimi në mësimdhënien/nxënien e gjuhëve të huaja: praktika aktuale

Marrja në konsideratë e inovacionit digjital si një komponent i didaktikës dhe mësimit nuk është më risi.

Hibridizimi i mësimit/trajnimeve, përdorimi i mjeteve digjitale në klasë ose zhvillimi dhe evoluimi i mësimit nëpërmjet platformave të të mësuarit digjital logjikisht fton reflektimin mbi kontributet efektive të këtij mësimi dhe mbi zhvillimet që do të vijnë në të ardhmen e afërt për nxënësit/studentët duke marrë parasysh kompleksitetin e konteksteve, duke synuar ndërthurrjen e qasjeve (shkenca të hapura, MOOC, etj.).

Njohja dhe zbatimi i përshkruesve të Volumit Plotësues të CECRL lidhur me nivelet e kompetencave digjitale të nxënësve, studentëve dhe mësuesve sipas niveleve nga A1-C2.


6. Formimi fillestar dhe i vazhduar i mësuesve të Gjuhëve të Huaja në standardet e sotme të profesionit të mësuesit

Çfarë formimi fillestar dhe/ose të vazhdueshëm duhet t’u ofrohet mësuesve të gjuhëve të huaja për të marrë parasysh kompleksitetin e situatave duke iu përgjigjur kërkesave të publikut?

Njohja dhe formimi i mësuesve me risitë metodologjike dhe dokumentat e Këshillit të Evropës në fushën e didaktikës së gjuhëve dhe kulturave për përvetësimin e kompetencave shumëgjuhësore e ndërkulturore si CECRL ashtu edhe Volumi Plotësues i tij ku theksohet ndërmjetësimi gjuhësor si mjet për përvetësimin e kompetencës shumëgjuhësore e shumëkulturore në klasë.

Hartëzimi i kompetencave profesionale të mësuesve të gjuhëve të huaja.


7. Cilësia e mësmdhënies së gjuhëve të huaja dhe vlerësimi i saj

Metoda, mjete didaktike, praktika klase bashkëkohore për një mësimdhënie funksionale dhe cilësore. Indikatorë të matjes së cilësisë së mësimdhënies dhe arritjeve të nxënësve/studentëve në raport me nivelet e certifikimeve ndërkombëtare.

Përgatitja e mësuesve dhe pedagogëve me kompetenca vlerësimi dhe testimi i kompetencave shumëgjuhësore të nxënësve e studentëve, bazuar në kritere të drejta e transparente sipas standardeve evropiane.

Nxitja e politikave arsimore dhe vendimmarrëse në favor të hartimit të testeve kombëtare sipas standardeve evropiane të cilat të njihen ndërkombëtarisht si teste hyrëse në universitet si brenda ashtu edhe jashtë vendit.

 Data të rëndësishme:

 Dorëzimi i abstraktit: 30 qershor 2023

 Njoftimi i pranimit: 30 korrik 2023 (Punimet e konferencës do të publikohen pas mbledhjes dhe vlerësimit paraprak të tyre nga Komiteti Shkencor)

 Gjuhët e Konferencës: shqip/gjuhë e huaj

Konferenca është planifikuar të zhvillohet në auditor dhe “onlineˮ.

 Për dërgimin e abstrakteve klikoni në linkun: Këtu