Njoftim
Ambasadori kinez në Tiranë Zhou Ding viziton Institutin e Konfucit
I ftuar nga Instituti i Konfucit i Universitetit të Tiranës, ambasadori i Kinës në Tiranë Zhou Ding vizitoi së bashku me bashkëshorten e tij këtë institucion më 25 shkurt. Ata u takuan me drejtorin shqiptar të Institutit Erion Malaj, drejtorin kinez Huang Qiang, përfaqësuesit e stafit dhe studentëve. Në këtë veprimtari ishte i pranishëm dhe këshilltari politik i ambasadës Bai Yunbin.
Ambasadori Zhou vlerësoi lart përpjekjet e Institutit të Konfucit në promovimin e gjuhës kineze, entuziazmin e studentëve për njohuri dhe kulturën kineze. Ai u shpreh se zotërimi i një gjuhe të huaj të hap një dritare për një botë tjetër. Kina dhe Shqipëria kanë një miqësi të thellë tradicionale dhe kjo miqësi, e ka të ardhmen tek brezi i ri. Shpresoj, tha ai, që stafi dhe studentët e Institutit të Konfucit, me anë të mësimit të gjuhës kineze, do të luajnë rol më të mirë në zhvillimin kombëtar shqiptar. Ambasadori kinez premtoi gjithashtu mbështetje të plotë të ambasadës për Institutin e Konfucit në mësimdhënie.
Mësuesit dhe studentët e Institutit shprehën mirënjohje për përkrahjen e pandryshuar të ambasadës. Gjatë 6 viteve, prej themelimit të këtij institucioni, numri i studentëve të regjistruar është rritur nga disa dhjetëra në afro 600, ndërkohë që janë pasuruar përmbajtjet e mësimit. Instituti i Konfucit është i gatshëm të japë kontribut të ri për thellimin e miqësisë kino-shqiptare me rastin e 70-vjetorit të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes Kinës dhe Shqipërisë.
Studentët shqiptarë kanë treguar interes të shumtë ndaj kulturës kineze dhe dëshirojnë të mësojnë mirë gjuhën kineze, të shkojnë në Kinë për shkëmbime dhe të bëhen misionarë për bashkëpunim dypalësh dhe thellimin e miqësisë.